“Sekretet e Ritz-it në Prishtinë”, Philippe Collin zbardh heroin e heshtur të Parisit

“Sekretet e Ritz-it në Prishtinë”, Philippe Collin zbardh heroin e heshtur të Parisit

Në Institutin Francez në Prishtinë, sot u mbajt prezantimi i romanit “Barmeni i Ritzit”, me pjesëmarrjen e autorit francez Philippe Collin dhe përkthyeses në gjuhën shqipe, Lindita Gjatani.

Drejtori i institutit, Edouard Mayoral, hapi takimin duke e shndërruar prezantimin në një udhëtim dramatik drejt Parisit të pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe jetës së fshehtë pas mureve të famshëm të Ritz Paris.

Ngjarjet e librit zhvillohen në hotelin legjendar Ritz, i cili qëndroi i hapur edhe gjatë okupimit nazist të vitit 1940, duke u shndërruar në pikëtakim të nazistëve, zyrtarëve të lartë, kollaboracionistëve, artistëve, aristokratëve dhe rezistentëve. Në qendër të historisë është Frank Meier, barmeni i njohur i Ritz-it, i përshkruar si një figurë e përkushtuar, me mustaqe të holla, xhaketë të bardhë dhe kravatë të zezë.

Meier, i cili fsheh identitetin e tij hebre, përballet me dilema të mëdha morale kur nazistët pushtojnë Parisin. Ai përpiqet të ruajë normalitetin e vendit të tij të punës, të mbajë të fshehtë identitetin dhe të mbrojë njerëzit që rrezikohen, duke u shndërruar në një “diplomat të barit”, një gjysmë hero të heshtur që lufton për mbijetesë dhe dinjitet.

Autori i librit Philippe Collin tha se romani shpalos një histori të veçantë, të ndërtuar rreth një personazhi real dhe një vendi unik gjatë asaj kohe.

“Në këtë libër tregon historinë e barmenit të Ritz-it gjatë okupimit të Parisit… Ky vend është shumë i veçantë gjatë asaj kohe, domethënë Luftës së Dytë Botërore, duke marrë parasysh që ka mbetur i hapur, ka vazhduar të funksionojë dhe sigurisht në Paris nuk ka pasur vend tjetër të tillë. Përveç që ka qenë i hapur për publikun francez, gjithashtu ka pasur edhe përfaqësues ushtarakë të ushtrisë gjermane, gjithashtu edhe nazistë. E veçanta e këtij lokalit është se është një vend i vogël ku janë vetëm 53 vende të ulura dhe për çdo natë vijnë mysafirë të ndryshëm të të gjitha shtresave: kemi nazistë, ushtarakë të rregullt gjermanë, partizanë dhe kemi spiunë. I vetmi person që nuk ndryshon çdo natë është ky barmen, i cili dëgjon dhe përcjell gjithë këto lëvizje”, tha ai.

Përkthyesja e librit, Lindita Gjatani, theksoi se këndvështrimi i romanit i zhyt lexuesit brenda mureve të Ritz-it, atje ku çdo natë përballen botë të ndryshme dhe emocione të forta njerëzore.

Ajo shtoi se libri nis me hyrjen e trupave gjermane në Ritz dhe përfundon me largimin e tyre, duke sjellë edhe një moment të veçantë me ardhjen e Hemingëayt.

“Ne librin “Barmeni i Ritzit”, ishte një këndvështrim tjetër, ndryshe… Ngjarjet zhvillohen brenda mureve të Ritzit, brenda barit… brenda 4 viteve, 40-44, që fillon me hyrjen e gjermanëve, grupit të parë të gjermanëve në barin e Ritzit, ku priten nga Frank Meri, i cili ka bërë Luftën e Parë Botërore dhe ai është i pozicionuar si në luftore dhe pret gjermanët. Dhe libri përfundon me largimin e gjermanëve dhe do të zbuloj vetëm një detaj të vetëm me ardhjen e Heminguejt. Unë librin e lexova në fillim si një lexues, gjithmonë e jap imazhin e një personi të ulur në barin e Ritzit, afër Frank Merit, dhe duke parë gjithë shoqërinë franceze, gjithë funksionarët e lartë nazistë të kalojnë para syve të mijë. Aty zbulojmë botën magjike dhe sekrete të barit, gjithashtu të zbulojmë ndjenja njerëzore: frikë, dashuri, urrejtje, melankoli, nostalgji.”, tha Gjatani.

Romani “Barmeni i Ritzit” rrëfen se si një barmen i zakonshëm, i vendosur në qendër të një qyteti të pushtuar, mund të shndërrohet në një hero të heshtur që dëgjon, vëzhgon dhe mbijeton në një botë ku historia ndryshon çdo natë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë